Kanë kaluar pothuajse dy muaj prej kur futbolli në Kosovë është pezulluar pas masave të Qeverisë së Kosovës për parandalimin e pandemisë COVID-19.
Javëve të fundit ka pasur një debat të gjerë sportiv në lidhje me atë nëse edicioni aktual i futbollit kosovar duhet të anulohet, përfundohet apo vazhdohet.
Federata e Futbollit të Kosovës është ende në pritje të përgjigjjes për lejen nga autoritetet për të nisur futbollin, teksa ende nuk ka ndonjë datë zyrtare.
Mikrobiologu Lul Raka duke komentuar situatën aktuale me pandemi, ka thënë se të gjithëve po iu mungon futbolli.
“Na ka marrë të gjithëve malli për futboll, janë bërë pothuajse dy muaj prej pezullimit të futbollit në vendin tonë”, ka thënë Raka në Klan Kosova.
“Por, rëndësi është shëndeti i futbollistëve, pra sportistëve. Futbolli është sport kolektiv dhe mund të ketë pasoja”, u shpreh Raka.
“Ata janë të rrezikuar, mund të ketë edhe prej tyre që mund të kenë sëmundje kronike”, shtoi ai.
“Kosova nuk është as Italia, Anglia apo Spanja. Ne jemi Kosova. Duhet të dihet se a ka futbollistë të sëmurë, duhet të ketë teste”, u shpreh Raka.
“Testimi duhet të bëhet çdo pesë ditë, dhe për të gjithë anëtarët e klubit. Duhet që futbollistët të karantinohen pasi të rinisë edicioni”, tregoi Raka.
“Me situatën aktuale, dhe me masat lehtësuese, stërvitjet kolektive mund të rinisin më 1 qershor”, shtoi ‘Evropiani i Vitit’.