Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë kërkesë në Ministrisë e Shëndetësisë që klubet ti rifillojnë stërvitjet me 10 maj, por një gjë e tillë duket pak e realizueshme.
Edhe pse Ministria e Shëndetësisë e ka aprovuar kërkesën e FFK-së, ajo ka kërkuar rekomandime dhe udhëzime shtesë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.
Sipas burimeve të Gazetën inFokus, IKSHP të martën do të dalë më vendim final se a do ti pranohet kërkesa e FFK-së.
Lidhur me këto ngjarje të fundit, Gazeta inFokus ka kontaktuar trajnerin i mirënjohur kosovar, Bylbyl Sokolin.
Sokoli fillimisht ka thënë se UEFA ka sugjeruar vazhdimin e kampionatit përkundër se disa shtete si Franca, Belgjika e Holanda i kanë mbyllur kampionatet.
“Edhe pse disa shtete kanë ndërprerë kampionatin si Franca, Belgjika e Holanda, UEFA sugjeron zhvillimin e kampionatit me ndryshim propozicione në rregulla”, tha Sokoli.
I njohur nga të gjithë si ‘Proffa’ ka deklaruar se të gjithë sportistët janë për vazhdim të kampionatit dhe tabela të përcaktohen në bazë të rezultateve në fushë.
“Te gjithë sportistët janë për zhvillim të garave dhe tabela të përcaktohet në bazë të rezultateve në fushë”, deklaroi ai.
Sokoli mendon se nëse nuk mund të zhvillohet më rregull kampionati, ka opsione tjera për të përfunduar në fushë.
“Nëse kampionati nuk arrinë të përfundoj më rregull duhet pasur parasysh edhe opsione tjera si ai i zhvillimit të garave për titull dhe për ekzistencë (mini playof). Opsioni i fundit duhet të jetë shpallja e rezultateve sipas tabelës ekzistuese”, deklaroi trajneri i shumë skuadrave kosovare.
Për fund Sokoli tha se gjitha vendimet duhet të jenë në koordinim mes MKRS-së, FKK-së dhe klubeve.
“Të gjitha këto opsione janë të vështira, por nevojitet koordinim i MKRS-së, FFK-së dhe klubeve te futbollit për hartimin e propozicioneve për përfundimin e kampionatit”, përfundoj Bylbyl Sokoli.