Futbolli kosovar në vitet 1991 deri 1999 u zhvillua në kushte jashtëzakonisht të vështira, si pasojë e okupimit të vendit nga Serbia, e ku si rrjedhojë aktiviteti u zhvillua në fusha të improvizuara të futbollit. Gjendja e vështirë ekonomike e popullatës, por edhe maltretimet e shumta që i bënte policia serbe ndaj cilido që merrej me futbollin e pavarur të Kosovës nuk e zmbrapsen dëshirën dhe misionin e atyre që kishin marrë përsipër drejtimin e futbollit në atë periudhë, shkruan Futbolli.info. Në videon e mëposhtme e cila është publikuar në rrjetet sociale shihet momenti i hapjes së turneut tradicional kushtuar dëshmorit Ismet Krasniqi, i cili ishte vrarë nga okupatori serb. Pjesëmarrës të këtij turneut ishin Flamurtari, 2 Korriku, Traktori dhe Kosova (P). Në këtë video nga një fjalë rasti e mbajnë Agim Ademi, organizator i turneut, kryetari i atëhershëm i FFK-së, Rexhep Abdullahu dhe Ramë Buja, përgjegjës për sport në Parlamentin e Kosovës dhe anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në atë periudhë. Po ashtu, si gjithmonë në atë kohë afër sportistëve ishin edhe gazetarët Gani Kosumi e Bahtir Cakolli.