Serie A po përgatitet të rikthehet, por akoma ka dyshime të mëdha dhe diskutime të shumta. Claudio Lotito ka analizuar situatën dhe shpjegon se pse është kundër formatit play-off për titullin kampion. Presidenti i Lazios, që renditet në vend të dytë me vetëm 1 pikë poshtë Juventusit, flet troç në një prononcim për La Repubblica, aty ku bën një ftesë për bardhezinjtë.
“Mua më thërrasin Lotito virologu dhe Lotito shkenctari, por kam ndërtuar një strukturë të shkëlqyer te Lazio. Tamponet dhe testet serologjike nuk më mungojnë. Kam përgatitur edhe maska për disa nga presidentët. Në Formello (qendra stërvitore) kam kardiologun, otolaringologun dhe urologun.
Play-off për titullin? Unë ndodhem 1 pikë larg Juventusit vetëm prej ndeshjes Juventus-Inter… I kemi mposhtur bardhezinjtë 3-1 në fazën e parë dhe me të njëjtin rezultat në Superkupë. Duhet të luanim ndeshjen e kthimit.
Interi është 8 pikë larg, Atalanta 14, ma tregoni ju, është e drejtë të marrin pjesë në play-off?! Do të pranoja një finale me Juventusin. Por nëse sezoni nuk përfundon? Unë jam i kualifikuar gjithsesi në Champions League dhe kursej rrogat e katër muajve nëse nuk rikthehemi në fushë”, deklaron Lotito.