Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka konfirmuar sot se EURO 2021 në konkurrencën e femrave do të shtyhet për një vit dhe kësisoj do të luhet në Angli nga 6 korriku deri më 31 korrik të vitit 2022. Duke e komentuar shtyrjen e këtij kompeticioni presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin theksoi: “Kur duhej të merrnim një vendim urgjent për shtyrjen e UEFA EURO 2020, gjithmonë e kemi pasur vëmendjen edhe tek EURO 2021 të femrave. Ne i kemi shqyrtuar me kujdes të gjitha opsionet. Duke e zhvendosur Evropianin e femrave në vitin tjetër, ne po sigurojmë që kjo garë për femra të jetë turneu i vetëm i madh i futbollit në verën e vitit 2022, duke ia dhënë asaj vëmendjen që e meriton”. Vendimi për ta shtyrë për një vit këtë turne erdhi pasi UEFA më 17 mars vendosi ta shtyjë edhe EURO 2020 për meshkuj pas shpërthimit global të pandemisë COVID-19.