Mbledhja e djeshme mes Ministrit të Sporteve në Itali dhe drejtuesve të federatës, nuk prodhoi lajmin e mirë për rinisjen e stërvitjeve, pasi duket se vendimi ka nevoje për më shumë konsulencë dhe pritet të merret në ditët në vijim.
Por në debatin nëse duhet të rifillojë kampionati apo jo, është përfshirë edhe një nga njerëzit më me influencë në jetën politike dhe sportive të vendit, Silvio Berlusconi, ish kryeministër i Italisë dhe ish president i Milanit, aktualisht pronar i skuadrës së Monzës.
“Unë jam njeri i sportit dhe sigurisht që nuk jam këtu për të nënvlerësuar rëndësinë e futbollit, por tani e ndjej të them që në këto momente futbolli nuk është një urgjencë. Mendoj se është më mirë të flasim pas verës”, deklaroi Berlusconi.
Fjalët e “kavalierit” mund të kenë ndikim edhe në vendimin që do të merret këto ditë nga institucionet përkatëse, ndërsa vetë Berlusconi rendit edhe disa prej arsyeve që e bëjnë të mendojë se kampionati nuk duhet të rifillojë.
“Të luash pa tifozë është diçka e trishtë dhe për më tepër, futbolli është sport i kontaktit fizik, që rrit rrezikun e infektimit, ndaj nuk mendoj se është zgjidhja e duhur rifillimi i kampionatit. Kam parë pjesërisht protokollet e miratuara nga ekipet mjekësore të federatës dhe shumë prej tyre kanë kushte të pamundura për t’u plotësuara nga klube të Serisë B dhe C”, shtoi më tej Berlusconi.