Trajneri i njohur kosovar, Afrim Tovërlani, ka zbuluar një prapaskenë të rëndësishme në lidhjen e drejtpërdrejtë me emisionin “FanZone” në SuperSport. Aktualisht në krye të Feronikelit, 53-vjeçari shpjegon pse nuk u bë e mundur dis vite më parë që të merrte drejtimin e Kukësit.
“Kam folur me presidentin Gjici. Kukësi ishte 12 pikë pas Skënderbeut. Ma tha: a mund të dalim kampion? I thashë jo. Nuk mund ta gënjesh dikë në sy, unë nuk e bëj dot. I garantova Europën, përmes kampionatit ose Kupës, pasi ishin endë në garë. Skënderbeu kishte skuadër të fortë, nuk ishte shkapërderdhur akoma. I thashë që nuk dalim dot kampion.”
Tovërlani deklaroi më pas se klima në Kosovë për një trajner është më e favorshme se në Shqipëri.
“Me aq sa e njoh futbollin, në klubet e Shqipërisë, në shumicën e rasteve, vendosin bosët, jo trajnerët. Ndoshta është klima më e mirë tani të punohet në Kosovë, se sa në Shqipëri. Kam folur me lojtarë që kanë luajtur atje dhe e di që është më e vështirë puna e trajnerit në Shqipëri”.