Pak ditë më parë Federata e Futbollit Kosovës ka ndarë një pako emergjente për futbollistë, gjyqtarë e delegat të tyre.
Këto mjete financiare të ndara nga FFK, tashmë kanë nisur të ekzekutohen dhe të dalin në xhirollogaritë e të lartë-cekurve.
Këtë pako emergjente, trajneri i njohur drenicas, Tahir Lushtaku e ka quajtur si infuzion mjaft pozitiv për klubet që kishin probleme financiare.
“Mendoj që është shumë pozitive kjo pako emergjente si për staf, futbollistë, refer e delegat nga ana e FFK-së. Është një shumë emergjente prej 350 euro që sa do pak do ju ndihmon në aspektin financiar e ku dihet që disa klube kanë vështirësi financiare dhe për to pritet të jetë një infuzion pozitiv”, tha fillimisht Lushtaku për Olle.
“Natyrisht ka qenë shumë e domosdoshme dhe është diçka e mirë që ka bërë FFK të ju del në ndihmë në këtë kohë pandemie me virus dhe gjendja në çfarë jemi, pasi ky virus ka paralizuar gjithë botën, ku shpresoj që kalon sa më parë dhe t’i kthehemi normalitetit”, shtoi ai.
“Futbolli ka koston e lartë financiare që të funksionon në mënyrë më të mirë të mundshme dhe mendoj që për shumë klube do të jetë shumë e vështirë ndoshta edhe t’i vazhdoj garat por shpresoj që të gjejnë forma dhe mënyra që edhe kampionati i futbollit në Kosovë të vazhdon pas virusit dhe gjithçka të shkoi mirë si për klubet ashtu edhe për futbollistët e në përgjithësi rrjedha e gjithë garave sportive në vend”, përfundoj Lushtaku.
Lushtaku, që nga janari nuk drejton asnjë skuadër pas largimit nga skuadra e Drenicës, skuadër kjo që tashmë drejtohet nga tekniku mitrovicas Gani Sejdiu.