Shkruan: Arben ZEQIRI
Nuk besoj që kampionati do të mbyllet duke e shpallur kampion liderin aktual të tabelës. Ashtu siç po parashihet nga epidemiologët, unë pres që në fillim të muajit Maj të kalojë kjo gjendje neveritëse që na ka kapluar si pasojë e virusit korona dhe t’i kthehemi normalitetit të gjithë ne dhe secilës ekip do ti duhej minimalisht një periudhe 3-4 javore, për të rikthyer sadopak ekipin në ritmin e ngarkesave dhe formës fizike, për të përballuar stërvitjet dhe ndeshjet, e që me gjasë kalendari i ndeshjeve do të jetë më i shpeshtë, do të kemi ndeshje çdo 3-4 ditë, në mënyrë që kah mesi i Korrikut kampionati të na e jap fituesin e tij, nënkampionin poashtu, dhe fituesin e Kupës me çka do ti kishim 3 ekipe që do të përfaqësonin futbollin tonë në garat evropiane.
Nuk e besoj që ndonjë ekip e parapëlqen që kampionati të mbyllet tani ngase kampioni eventual nuk do të ishte meritor dhe do të përflitej kohë të gjatë për vlefshmërinë e tij.
Padyshim që humbjet do të ishin të mëdha për klubet veçmas këto që kanë investuar aq shumë në lojtarë, trajner e veçmas katër ekipet e para që me çdo kusht synojnë Evropën, andaj këtu FFK edhe ashtu me telashet që ka me disa nga klubet elitare duhet të bëjë shumë kujdes në mënyrë që gjërat mos t’i dalin nga kontrolli.
Mendoj që kampionati do të vazhdojë dhe do t’i kthehemi normalitetit, ndeshjeve fantastike e rivalizuese të ekipeve pretendente për titull kampioni, të atyre që luftojnë për ekzistencë dhe të atyre për të fituar Kupën e Kosovës…
Uroj nga zemra ti kthehemi futbollit ngase duke iu kthyer futbollit i kthehemi jetës, sepse për të gjithë ne qe e kemi pasion e profesion,
“FUTBOLLI ËSHTË VETË JETA”…
Zoti na ruajtë të gjithëve nga çdo e keqe !…”