Presidenti i SC Gjilanit, Florim Zuka është shprehur i kënaqur me pakon financiare të FFK-së, edhe pse situate financiare e klubit është si gjithmonë. Zuka është një ndër investitorët më mëdhenj në futbollin e Kosovës, pasi për shumë vite e zotëron klubin e Gjilanit, shkruan Insporti.com.
Pandemia Covid19 ka bërë që edhe në Kosovë futbolli të pezullohet për një kohë të pa caktuar deri në një vendim të ardhshëm të FFK-së, gjithmonë në koordinim me shtëpinë e futbollit evropian UEFA.
Zuka për Insportin ka deklaruar se pakoja që ka shfaqur Federata e Futbollit së Kosovës është vetëm për futbollistët dhe stafin, e jo për klubet, megjithatë është i kënaqur pasi sipas tij kaq janë mundësitë. “Situata është e njëjtë si gjithmonë në klubin e Gjilanit. Sa i përket ndihmës së FFK-së, unë nuk e di se kanë ofruar diçka për klube, aq sa kam mundur të kuptoj, vetëm për futbollistët dhe stafin, e jo peë klub megjithatë kjo pako është e mirë , pasi edhe kaq janë mundësitë”.
FFK ka vendosur që nga mjetet e saja vetanake të bëjë një pako të ndihmës emergjente, duke pasur parasysh faktin se ndihma që është premtuar nga Qeveria ende nuk është realizuar dhe po zgjatet si pasojë e procedurave administrative të organeve qeverisëse.
Nga kjo pako do të përfitojnë vetëm klubet e licencuara në FFK. Kjo pako siç është pritur është kundërshtuar nga KF Llapi dhe KF Trepça, të cilat e kanë quajtur të pa pranueshme këtë pako.
SC Gjilani renditet në vendin e tretë me 41 pikë të grumbulluara pas 22 xhiro të zhvilluara.